Mosrespektimi i kompetencës lëndore e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm.

Moneta Kamberi

Moneta Kamberi

September 06, 2025 · 3 min kohë leximi
Mosrespektimi i kompetencës lëndore e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm.
  1. Vendimi nr. 00-2024-2033, datë 10.12.2024 i Kolegjit Penal 

Maksima –  Kompetenca tokësore mund të ngrihet vetëm para se të ketë filluar shqyrtimi gjyqësor dhe mund të ngrihet vetëm me kërkesë të palëve të interesuara dhe asnjëherë kryesisht nga gjykata. Mosrespektimi i kompetencës lëndore e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm, ndërsa  akti i dhënë në mungesë të kompetencës tokësore është relativisht i pavlefshëm.

Fjalë kyçe – kompetenca lëndore, kompetenca tokësore, proces i rregullt ligjor, kërkesa e palëve, vendim absolutisht i pavlefshëm, vendim relativisht i pavlefshëm. 

Përmbledhja e vendimit - Në këtë çështje, konstatohet ekzistenca e mosmarrëveshjes së kompetencës për kërkesën me objekt: “Dërgim për gjykim të procedimit penal akuzuar në bazë të nenit 297 të KP “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” ndërmjet dy gjykatave të së njëjtës shkallë gjykimi, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë (e cila theksoi në vendimmarrje se, kompetenca tokësore përcaktohet, me radhë, nga vendi ku është kryer ose është tentuar të kryhet vepra penale ose vendi ku ka ardhur pasoja). Është provuar se i pandehuri X, ka kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin tokësor në zonën e Konispolit, ndaj pasoja e veprës penale ka ardhur në territorin që është në kompetencën tokësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë. Ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, (parashtroi se gjykata kompetente nuk është ajo, pasi në ndryshim nga kompetenca lëndore, kompetenca tokësore nuk mund të ngrihet kryesisht. Për rrjedhojë, në të tilla raste, gjykata nuk mundet kryesisht, pa kërkesën e palëve të marrë në shqyrtim moskompetencën tokësore, një situatë të tillë e ndalon neni 83 i KPP, ndaj gjykata ku është paraqitur çështja objekt gjykimi bëhet kompetente nga pikëpamja tokësore). Kjo mosmarrëveshje është parashtruar para Gjykatës së Lartë, referuar KPP i cili që në kreun II, seksionin V, titulluar “Mosmarrëveshjet për kompetencat”, nenet 89, 90 dhe 91 të tij, ka parashikuar rastet e mosmarrëveshjeve, mënyrën e parashtrimit të tyre dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për kompetencë. Në këtë pikë KPGJL e gjeti të drejtë arsyetimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë e cila argumentoi se  ...gjykata nuk mund të marrë, pa kërkesën e palëve, në shqyrtim moskompetencën tokësore kryesisht, pasi një situatë të tillë e ndalon neni 83 i KPP. Është konsoliduar praktika sipas të cilës, kompetenca tokësore, vlerësohet vetëm me kërkesë të palëve, dhe për sa kohë nuk ka filluar shqyrtimi gjyqësor. Kjo do të thotë se neni 83 i KPP e ka kushtëzuar dhe kufizuar oficialitetin e gjykatës për të vlerësuar kryesisht kompetencën vetëm për shkak të lëndës. Sa më sipër, vlerësohet se gjykata ku është paraqitur çështja objekt gjykimi bëhet kompetente nga pikëpamja tokësore ...”, që në këtë rast është Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Postime të ngjashme

© 2007 - 2025 AvokatNeShqiperi. | All rights reserved.