Moneta Kamberi
3. Vendim nr. 00-2025-214 (16), datë 22.01.2025 i Kolegjit Civil.
Maksima – Pretendimi për pjesëtimin e tokës bujqësore së përfituar në zbatim të ligjit nr.750/1991, në cilësinë e bashkëpronarit, ka si kriter të vetëm ligjor të subjektit përfitues, qenien anëtar i familjes bujqësore sipas gjendjes civile në datën 1 gusht 1991.
Fjalë kyçe – pjesëtim pasurie, tokë bujqësore, subjekt përfitues, familje bujqësore, bashkëpronar, AMTP.
Përmbledhja e vendimit – Në këtë çështje paditësja, me pretendimin se ka qenë anëtare e familjes bujqësore që është pajisur me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi, ka kërkuar në cilësinë e bashkëpronares pjesëtimin e pasurisë së përfituar (tokë arë). Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ka disponuar për lejimin e pjesëtimit të pasurive në mes të paditëses dhe të paditurve, ku secilit i takon të marrë 1/5 pjesë të kësaj pasurie, me argumentin se pjesët takuese të anëtarëve në bashkëpronësi duhet të përcaktohen midis këtyre personave, pasi është një pronë e përfituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991. Gjykata e apelit ka konstatuar se paditësja është pajisur me tokë arë në masën tre dynym në përbërje të familjes së saj faktike, bashkë me nënën dhe vëllain, tashmë i vdekur dhe jo në përbërje të familjes së të paditurit. Nuk është provuar se paditësja ka qenë anëtare e familjes bujqësore të të paditurit dhe për pasojë padia e saj për pjesëtimin e pasurisë së kësaj familjeje bujqësore duhet të rrëzohet si e pabazuar në prova e ligj. KCGJL vlerëson se argumenti i gjykatës së apelit që paditësja ka përfituar tokë si pjesëtare de facto e familjes së saj të përbërë nga ajo, nëna dhe vëllai, është marrë në zbatim dhe interpretim të gabuar ligjit nr. 7501 “Për tokën” si dhe VKM nr.255, datë 02.08.1991 "Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore”. KCGJL vlerëson se ai është një kriter që nuk është i parashikuar në ligj dhe as prej vetë gjykatës nuk është identifikuar ndonjë dispozitë e zbatueshme, ndërkohë që i vetmi kriter ligjor që jep cilësinë e subjektit përfitues në zbatim të ligjit nr.7501, është qenia në numrin e frymëve të familjes sipas gjendjes civile në datën 1 gusht 1991.
September 06, 2025
• 3 min kohë leximiSeptember 06, 2025
• 2 min kohë leximiJune 27, 2025
• 4 min kohë leximi