Rastet e shqyrtimit ne themel me objekt pavlefshmërinë ose shfuqizimin e AMTP.

Moneta Kamberi

Moneta Kamberi

September 06, 2025 · 3 min kohë leximi
Rastet e shqyrtimit ne themel  me objekt pavlefshmërinë ose shfuqizimin e AMTP.

IV. Vendimi nr. 00-2025-1015 (127), datë 25.03.2025 i Kolegjit Administrativ


Maksima - Në gjykimin e padive të ngritura përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 20/2020, me objekt pavlefshmërinë ose shfuqizimin e akteve të marrjes së tokës në pronësi (AMTP), gjykata është e detyruar të shqyrtojë çështjen në themel, kur në padi ngrihen formalisht shkaqe të parashikuara në nenin 7, pika 1 të këtij ligji, për të cilat nuk lejohet heqja dorë dhe nuk mund të vendosë pushimin e gjykimit. 

Fjalë kyçe - pavlefshmëria e AMTP, shfuqizimi i AMTP, tokë bujqësore, legjitimimi i përfituesit, familje fshatare themeluese, ndarja e tokës bujqësore, shkaqet e heqjes dorë nga padia, shqyrtim në themel i çështjes.

Përmbledhja e vendimit - Në këtë çështje, pala paditëse (ASHK) ka paraqitur rekurs ndaj vendimit të GJAA, e cila kishte vendosur pushimin e çështjes për pavlefshmërinë e një AMTP të lëshuar në emër të një subjekti. Gjykata e apelit kishte arsyetuar se ASHK, në zbatim të nenit 68, pika 5 të ligjit nr. 20/2020, duhet të hiqte dorë nga padia. Në rekurs, pala paditëse ka ngritur si shkaqe, ndër të tjera, se Komisioni i Ndarjes së Tokës nuk ka zbatuar kriteret e përcaktuara në aktet nënligjore për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore, pasi subjekti përfitues nuk ishte familje fshatare themeluese dhe për rrjedhojë nuk duhej të kishte përfituar tokë bujqësore. Në vendim, KAGJL vlerësoi se në zgjidhjen e çështjes nga GJAA duhej pasur parasysh vendimi njësues nr. 31003-00018-00-2024, datë 18.02.2025, me të cilin është unifikuar praktika gjyqësore mbi mënyrën e zbatimit të nenit 68, pika 4 dhe 5 të ligjit nr. 20/2020. Ky vendim ka rëndësi për këtë çështje, pasi padia e paraqitur nga ASHK bazohet në pretendimin se subjekti përfitues nuk është familje fshatare themeluese dhe toka objekt e AMTP nuk ka qenë “tokë bujqësore” më datë 01.08.1991 rrethana të cilat përbëjnë shkaqe formalisht të ngritura në padi dhe që sipas nenit 7 pika 1 të ligjit nr. 20/2020, përjashtojnë detyrimin për heqje dore nga padia. Kolegji çmoi se në këto raste, ASHK nuk ka të drejtë të vendosë vetë nëse do të heqë dorë apo jo nga padia, pasi ligji e përjashton qartësisht këtë mundësi. Në përfundim, Kolegji i la detyrë GJAA që të hetojë nëse përfituesi i AMTP është subjekt i legjitimuar sipas ligjit nr. 7501/1991 dhe akteve përkatëse dhe nëse toka objekt AMTP ka qenë “tokë bujqësore” në datën 01.08.1991.

Postime të ngjashme

© 2007 - 2025 AvokatNeShqiperi. | All rights reserved.